I dënuari Petrit Ndoci, i cili vuante dënimin në Burgun e Reçit, është shpallur në kërkim pasi nuk është rikthyer në qeli pas përfundimit të lejes shpërblyese njëjavore. Leja ishte dhënë në periudhën 14 gusht 2026 deri më 21 gusht 2026, në orën 12:30.
Sipas njoftimit zyrtar, Ndoci po vuante dënimin për veprat penale "vjedhje me dhunë" dhe "armëmbajtje pa leje". Gjatë periudhës së lejes, ai qëndronte në fshatin Rukaj, në Njësinë Administrative Luf, Qarku Shkodër. Pas konstatimit të moskthimit në kohë, strukturat e informacionit të IEVP Reç kryen verifikimet e nevojshme dhe kontaktuan familjarët, të cilët njoftuan se i dënuari ishte larguar nga banesa që gjatë orëve të mëngjesit.
Gjatë kërkimeve, u zbardh se i dënuari kishte lënë një letër për familjarët me shënimin: "Po largohem, ju dua shumë". Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Policinë e Shtetit, ka nisur procedurat për lokalizimin dhe kapjen e tij. Nga të dhënat paraprake, të dënuarit i kishin mbetur edhe rreth dy vite burgim për të përfunduar dënimin. Autoritetet kanë filluar gjithashtu hetimet për të verifikuar nëse janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore gjatë dhënies së lejes shpërblyese.