Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të dhunës ndaj zyrtarëve të saj, të ndodhura gjatë ditës së djeshme. Në Prishtinë, një mashkull është arrestuar pasi ka sulmuar dy zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës. Incidenti ka ndodhur rreth orës 18:20, ndërsa policët po legjitimonin një person në një automjet, i cili rezultoi të ishte i afërm i të dyshuarit. Gjatë kësaj ngjarjeje, një person tjetër ka ndërhyrë për të penguar punën e efektivëve dhe për të ndihmuar të dyshuarin të largohej. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Ndërkohë, në komunën e Leposaviqit, një grua është arrestuar nën dyshimin për veprën penale të vrasjes në tentativë. Ajo dyshohet se ka sulmuar një burrë me mjet të mprehtë rreth orës 12:20. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor. Gjatë procesit të shoqërimit në stacionin policor, e dyshuara ka shfaqur sjellje të dhunshme, duke sulmuar edhe një zyrtare policore. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.