Në fshatin Poterq të komunës së Klinës, një person me probleme të shëndetit mendor dyshohet se ka shkaktuar lëndime ndaj dy familjarëve të tij. Rasti u raportua në polici rreth orës 19:10, ku pas incidentit, të lënduarit u dërguan për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, konfirmoi se i dyshuari është arrestuar dhe se hetimet për zbardhjen e rrethanave janë në vijim.
Ndërkohë, në Gjakovë, një person është arrestuar nën dyshimin se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike ndaj familjarëve të tij, duke u kërkuar para. Sipas raportit policor, incidenti ka ndodhur më 5 shtator rreth orës 07:00, ndërsa i dyshuari ishte në gjendje të dehur në momentin e arrestimit. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është shënuar në Lipjan, ku një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike në vazhdimësi ndaj bashkëshortes së tij. Incidenti raportohet të ketë ndodhur më 5 shtator rreth orës 20:00. Edhe në këtë rast, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit të çështjes.
Përditësime
Njëra nga viktimat e sulmit në Poterq të Klinës ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Viktimat ishin transportuar fillimisht në Spitalin e Pejës dhe më pas në QKUK për trajtim të specializuar. I dyshuari për sulmin është transferuar në repartin e psikiatrisë të Spitalit të Pejës, ku po mbahet nën mbikëqyrje policore për shkak të gjendjes së rënduar psikike.