Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, më 30 dhe 31 tetor u raportuan shtatë raste të dhunës në familje në Prishtinë, Podujevë, Viti, Pejë dhe Deçan. Rastet përfshijnë dhunë fizike e psikike, kanosje dhe ofendime. Sipas Betimit për Drejtësi, gjashtë të dyshuar u dërguan në mbajtje.
Në Prishtinë, më 31 tetor, rreth orës 03:50, u arrestua një person i dyshuar se, në gjendje të dehur, kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes duke e ofenduar. Sipas Policisë, gruaja u kthye me dëshirën e saj në banesë, te fëmijët, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje. Në një rast tjetër, rreth orës 09:00, një person dyshohet se u kanos dhe u ofendua nga djali i tij, pas një mosmarrëveshjeje për shitjen e një pajisjeje për pastrimin e pishinës. I dyshuari ende nuk ishte gjetur dhe rasti po hetohej.
Në Podujevë, rreth orës 14:20, u arrestua një shtetas i Shqipërisë, i dyshuar se kishte sulmuar fizikisht motrën e bashkëshortes. Ai u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit. Në Viti, më 30 tetor, rreth orës 23:30, një person raportoi se ishte kanosur nga djali i tij pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.
Në Pejë u raportuan dy raste. Në të parin, një grua dyshohet se ishte përballur vazhdimisht me dhunë fizike e psikike nga bashkëshorti dhe ishte kanosur nga vjehrri. Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve, Policia sekuestroi një pistoletë, dy karikatorë, 252 fishekë dhe një leje valide për armë. Të dy të dyshuarit u arrestuan; njëri u dërgua në mbajtje, ndërsa tjetri u lirua në procedurë të rregullt. Në rastin tjetër, një bashkëshort dyshohet se e kishte kanosur vazhdimisht gruan dhe i kishte shkaktuar dhunë psikike. Ai u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.
Në Deçan, më 31 tetor, rreth orës 02:30, u arrestua një person i dyshuar për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike ndaj familjarëve. Sipas raportit të Policisë, ai kishte marrë pa dijeninë e prindërve veturën familjare dhe një trotinet elektrik, të cilin e kishte shitur. I dyshuari u dërgua në mbajtje.
Lajmi.net, Epoka e Re dhe Gazeta Express përmendin edhe një rast të veçantë në Prishtinë, të mosrespektimit të vendimit të gjykatës për pagesën e alimentacionit për fëmijët. Sipas këtyre raportimeve, personi u shoqërua në stacionin policor dhe rasti vazhdon të hetohet. Ky rast nuk përfshihet në shtatë rastet e dhunës në familje të përmbledhura më sipër.