Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicë kanë finalizuar një operacion policor, pas një pune disamujore hetimore lidhur me disa raste të vjedhjeve në hapësirat e ndërmarrjes SHA Trepça.
Si rezultat i hetimeve dhe bastisjeve të kryera në disa lokacione, autoritetet kanë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar, të cilët mendohet se kanë vepruar në bashkëveprim gjatë kryerjes së dy rasteve të veprës penale "vjedhje e rëndë", të ndodhura disa muaj më parë.
Në cilësinë e provave materiale, policia ka sekuestruar një automjet me rimorkio, si dhe dëshmi të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rasteve. Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, ndaj të tre personave është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që hetimet mbi këtë ngjarje vazhdojnë.
Përditësime
Hetimet mbi rastin e vjedhjes në ndërmarrjen Trepça janë zgjeruar, duke identifikuar katër të dyshuar: Bajram Selmani, Arsim Selmani, Fevzi Prestreshi dhe Fatmir Selmani. Policia e Kosovës kreu operacione në pesë lokacione të ndryshme në lidhje me vjedhjen e ndodhur më 10 shkurt 2026, në rrugën Shala e Bajgores. Dëmi ekonomik nga ky aktivitet kriminal llogaritet në 40 mijë euro. Njëri nga katër personat fillimisht të shoqëruar ishte trajtuar si dëshmitar, por statusi i tij ndryshoi në të dyshuar pas hetimeve shtesë.