Në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar Transit 4. Si pasojë, është arrestuar në flagrancë shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Urën Vajgurore.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu u ndalua gjatë patrullimeve në segmentin rrugor Vukpalaj–Aliaj. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, u konstatuan 7 shtetas të huaj, konkretisht 5 persona nga Filipinet dhe 2 nga Afganistani. Hetimet paraprake dyshojnë se këta shtetas po transportoheshin kundrejt pagesës me synimin për të kaluar ilegalisht kufirin shtetëror drejt Malit të Zi.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi automjetin me të cilin kryhej transporti. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për hetime të mëtejshme.