Në kuadër të punës për parandalimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, zhvilluan operacionin e koduar "Perimetri". Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xhuljan Muça, 26 vjeç, banues në Elbasan.
Sipas njoftimit të policisë, i riu u kap me një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, e cila ishte ndarë në dhjetëra doza me qëllim shitjen dhe shpërndarjen në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë ambientet në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave. Përveç lëndës narkotike, efektivët i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një mjet prerës, konkretisht një thikë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. 26-vjeçari do të përballet me akuzat për kryerjen e veprave penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".