Shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin policor të koduar Reaction në qytetin e Shkodrës. Si rezultat, u arrestua në flagrancë 28-vjeçari Erdis Zeneli, i cili u kap teksa drejtonte automjetin e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar, efektivët gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e të arrestuarit, ku u zbulua sasia tjetër e lëndës narkotike, e përgatitur në doza dhe e gatshme për tregtim. Në total, policia sekuestroi rreth 1.5 kilogramë Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte në formë xhelatinoze. Sipas burimeve, një pjesë e drogës ishte e paketuar në qese me mbishkrimin Candy Surprise.
Në cilësinë e provës materiale, përveç lëndës narkotike, u sekuestruan:
• automjeti i 28-vjeçarit;
• një aparat celular;
• peshore elektronike;
• pajisje për paketimin me vakum.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se i riu e siguronte lëndën narkotike për ta shpërndarë kryesisht në zonat pranë perimetrit të sigurisë së shkollave. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.