Një 28-vjeçar shqiptar u arrestua në flagrancë nga karabinierët italianë në zonën e Cologno Monzese, në periferinë lindore të Milanos, tre ditë më parë. Ngjarja ndodhi pranë unazës Tangenziale Est, ku makina e tij u ndalua në një zonë të izoluar për shkak të lëvizjeve të dyshimta.
Karabinierët e stacionit të Cologno Monzese kryen kontrollin e automjetit dhe gjetën në bagazh 26 pako që përmbanin rreth 30 kilogramë kokainë të pastër. Autoritetet e vlerësojnë ngarkesën si të konsiderueshme, me fitime milionëshe në tregun e zi.
I arrestuari u akuzua për posedhimin e lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen. Me urdhër të Prokurorisë së Monzës, ai u dërgua në burg në pritje të hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur nëse pas kësaj ngarkese qëndron një rrjet i organizuar trafiku narkotikësh në rajonin e Lombardisë.