Specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Fier kanë arrestuar shtetasin Anesti Tahiraj, 31 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, nën akuzën e veprës penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr". Sipas hetimeve paraprake, i riu kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturina në një tokë që kishte marrë me qira. Për shkak të erës së fortë, flakët u përhapën me shpejtësi në sipërfaqe të tjera toke, duke shkaktuar dëme në bimësi, shkurre, ullishte dhe vreshta.
Në operacionin për neutralizimin e zjarrit u përfshinë shërbimet e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, 4 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Pas ndërhyrjes, vatrat u shuan plotësisht. Autoritetet konfirmuan se situata është vënë nën kontroll pa pasoja për jetën e banorëve apo dëmtim të banesave.
Policia e Fierit u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe pastrimin e tokave nëpërmjet zjarrit, veçanërisht në kushtet e erës, pasi këto veprime mbartin rrezik të lartë për mjedisin dhe pronën.
Përditësime
Autoritetet identifikuan 31-vjeçarin e arrestuar për zjarrvënien në Kreshpan si shtetasi Anesti Tahiraj.