Në pikën kufitare të Kakavijës, autoritetet policore kanë arrestuar një shtetase gjermane 51-vjeçe, të identifikuar si Alexandria Maria Schirmer, pasi u kap në tentativë për të nxjerrë nga territori shqiptar armë dhe lëndë narkotike. Arrestimi është bërë në kuadër të operacionit policor të koduar "Risku 2", i cili u realizua pas kontrolleve të imtësishme nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër.
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti së bashku me rulotin që drejtohej nga shtetasja gjermane, u përzgjodh fillimisht për kontroll në skaner dhe më pas iu nënshtrua një verifikimi të detajuar në vijën e dytë të pikës kufitare. Gjatë këtij kontrolli, shërbimet e policisë zbuluan një armë zjarri pistoletë me mulli, së bashku me municionin përkatës. Gjithashtu, u gjetën gjashtë kavanoza dhe tri qese hermetike, në të cilat ndodhej lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 141 gramë.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi pistoletën, municionin, lëndën narkotike, mjetin e përshtatur si rulot, si dhe një telefon celular. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. 51-vjeçarja akuzohet për veprat penale të "Trafikimit të narkotikëve" dhe "Trafikimit të armëve dhe municioneve".