Eduart Mema, 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas të Delvinës, dhe Edison Sinani, 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë të Sarandës, u arrestuan në flagrancë tek ura e fshatit Kardhiq në Gjirokastër.
Të dyshuarit transportonin 44 pako me lëndë narkotike të llojit cannabis sativa, me peshë totale 34 kilogramë e 5 gramë, të fshehura në një hapësirë të improvizuar te shasia e automjetit tip Hyundai, me qëllim trafikimin drejt Greqisë.
Si rezultat i operacionit policor të koduar "Ura", të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Sektori Operacional dhe Forca e Posaçme "Shqiponja", u sekuestrua lënda narkotike bashkë me automjetin dhe 4 celularë në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike", kryer në bashkëpunim.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.