Autoritetet në New Jersey njoftuan të premten arrestimin e John Alite, 63 vjeç, anëtar i këshillit bashkiak në Englishtown. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Alite përballet me akuza të shumta për zhvatje, sjellje të pahijshme korporative dhe dhënie të kredive me fajde, duke tejkaluar normat ligjore të interesit.
Sipas hetuesve, i dyshuari përdorte biznesin e tij, Straightened-Out Entertainment, Inc., për të ndërmjetësuar skemat e tij financiare, ndërsa debitorët kërcënoheshin me dhunë nëse nuk përmbushnin kërkesat për kthimin e parave ose pasurive. Prokurorja e Përgjithshme, Jennifer Davenport, deklaroi se arrestimi është fryt i një bashkëpunimi mes Divizionit të Drejtësisë Penale dhe Policisë së Shtetit të New Jersey-t.
John Alite, shqiptaro-amerikan nga Queens, ka një histori të dokumentuar me krimin e organizuar. Ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i familjes Gotti dhe anëtar i familjes mafioze Gambino. Në vitin 2015, përmes një interviste për CBS News, ai pranoi përfshirjen e tij në aktivitete të rënda kriminale në të kaluarën, përpara se të distancohej nga mafia dhe të ndërtonte një imazh publik si folës motivues dhe zyrtar lokal.