Ben Roberts-Smith, ish-anëtar i Forcave Speciale Ajrore australian, u arrestua në aeroportin e Sidnejit dhe pritet të dalë para gjykatës për pesë akuza vrasje të kryera si krime lufte në provincën Uruzgan të Afganistanit midis viteve 2009 dhe 2012.
Zyra e Hetuesit Special dhe Policia Federale Australiane njoftuan se akuzat lidhen me vrasje të civilëve të paarmatosur, të kryera nga i dyshuari ose me urdhër të tij ndaj vartësve. Nëse dënohet, mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Roberts-Smith, fitues i Kryqit të Viktorias dhe i konsideruar për vite si ushtari më i dekoruar australian, ka mohuar vazhdimisht akuzat. Ai ka deklaruar se veprimet e tij ishin pjesë e operacioneve luftarake ligjshme ose nuk kishin ndodhur fare.
Arrestimi vjen pas një procesi ligjor të gjatë. Në vitin 2023, një gjykatë federale civile arriti në përfundimin se ai ishte i përfshirë në vrasje të civilëve afganë; apelimi i tij u rrëzua. Ky ishte rasti i parë ku një gjykatë shqyrtoi në detaje pretendimet për krime lufte nga forcat australiane.
Ngjarja lidhet me Raportin Brereton të publikuar në 2020, i cili gjeti prova të besueshme për vrasjen e paligjshme të 39 personave nga ushtarët elitë australianë në Afganistan. Raporti rekomandoi hetime për 19 ish-anëtarë të forcave të armatosura. Aktualisht, janë hapur 53 hetime, me 39 të mbyllura dhe 14 aktive, përfshirë një gjyq të caktuar për shkurt 2027.
Autoritetet theksojnë se akuzat prekin një numër të kufizuar personash, ndërsa shumica e ushtarëve australianë vazhdojnë të shërbejnë me nder. Kryeministri Anthony Albanese refuzoi të komentojë, duke kërkuar shmangien e konotacionit politik.