Ish-futbollisti serb Urosh Millosheviç u arrestua në Portugali nga policia gjyqësore, pas një operacioni të zhvilluar në autostradën A6, pranë Estremozit. Gjatë kontrollit të furgonit që 31-vjeçari drejtonte, autoritetet sekuestruan mbi 1.5 ton kokainë, vlera e së cilës vlerësohet të jetë mbi 70 milionë euro, si dhe dy armë zjarri të tipit ushtarak të mbushura dhe të gatshme për përdorim.
Sipas hetimeve, operacioni u zhvillua në bashkëpunim ndërmjet Policisë Gjyqësore të Portugalisë dhe Policisë Kombëtare të Spanjës, në kuadër të luftës kundër të ashtuquajturit Karteli i Ballkanit. Ky grup kriminal dyshohet se përdor territorin e Gadishullit Iberik dhe bregdetin portugez si një pikë kyçe për shkarkimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike drejt vendeve të tjera të Evropës. Arrestimi i Millosheviçit vjen pas një aksioni të mëparshëm të zhvilluar në Spanjë javën e kaluar, ku u sekuestruan 3.7 ton drogë dhe u prangosën dy persona të tjerë.
Millosheviç, i cili kishte hequr dorë nga futbolli rreth vitit 2022, ka pasur një karrierë në klube të futbollit serb si Çukariçki, IM Rakovica, Teleoptik dhe Sindjeliç Beograd. Pas arrestimit, ai doli para gjykatës, e cila caktoi ndaj tij masën e sigurisë "paraburgim". Autoritetet portugeze bënë të ditur se 31-vjeçari është një nga tre personat e arrestuar gjatë këtij operacioni dhe se hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e tij të plotë në rrjetin kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.