Autoritetet e sigurisë në Ekuador kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar, duke vënë në pranga Elías Baldor Bermeo, ish-kryetar i komunës Camilo Ponce Enríquez. Ministri i Brendshëm, John Ryberg, e cilësoi të arrestuarin si financuesin kryesor të organizatës kriminale Los Lobos, një grup i përfshirë në trafikun e drogës, shfrytëzimin e paligjshëm të minierave dhe organizimin e sulmeve me mjete shpërthyese.
Operacioni policor u zhvillua në provincën andine të Azuay dhe në El Oro, ku përveç Bermeos, u arrestuan edhe pesë persona të tjerë, mes të cilëve edhe të afërm të tij. Gjatë kontrolleve në ambientet e shfrytëzuara nga grupi, policia gjeti shufra ari në të cilat ishte vendosur fotografia e bosit kolumbian të drogës, Pablo Escobar.
Sipas ministrit të Brendshëm, hetimet kanë zbuluar se në periudhën midis viteve 2023 dhe 2025, Bermeo kishte qarkulluar rreth 3.2 milionë dollarë përmes kompanive minerare, duke shfrytëzuar këto aktivitete për të mbështetur rrjetin kriminal. Ky arrestim vjen në kuadër të një përpjekjeje të shtuar të qeverisë së presidentit Daniel Noboa, e cila po punon për goditjen e karteleve dhe frenimin e minierave të paligjshme, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.