Gazmend Berisha, inspektor i Inspektoratit të Punës në Prishtinë, u arrestua më 28 janar 2026 në flagrancë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës bashkë me Njësinë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi konfirmoi arrestimin, duke theksuar se u krye pas zbatimit të masave të fshehta hetimore, përfshirë simulimin, ku i dyshuari u kap në momentin e pranimit të parave.
Sipas burimeve, Berisha dyshohet se kërkoi dhe pranoi mbi 1.000 euro ryshfet nga një biznes për ta amnistuar atë nga shkeljet e konstatuara gjatë inspektimit, si punëtorë të padeklaruar. Ai më parë ka shërbyer si zyrtar logjistike në Policinë e Kosovës dhe erdhi në Inspektoratin e Punës me konkurs të brendshëm dy-tri vjet më parë.
I dyshuari është ndaluar dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së sigurisë nga gjykata.
Përditësime
Kaltrina Gashi, zëdhënësja e Inspektoratit të Punës, konfirmoi ndalimin për 48 orë të inspektorit Gazmend Berisha, me urdhër të prokurorit.
Dyshimi lidhet me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe marrjen e rysfetit.
Ky arrestim vjen pas atij të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, një ditë më parë.
Njësia për Krime Ekonomike njofton se inspektori Gazmend Berisha i Inspektoratit të Punës kërkoi 2.000 euro ryshfet nga M.K., pronar i një kompanie ndërtimi dhe shtetas i huaj me leje qëndrimi. Ai kërkoi paratë për të lejuar punimet në punishten e tij, duke kërcënuar me ndërprerje. Policia sekuistroi 1.000 euro të pranuar dhe telefonin e Berishës.