Një person është arrestuar në zonën e Rahovecit nën dyshimin se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve të ndryshme. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, veprimet e kundërligjshme janë kryer në këmbim të moskryerjes së kontrollit ose mosndëshkimit të bizneseve, sipas ligjeve në fuqi. Rasti është hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjakovë, në bashkëpunim me njësi të tjera policore dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Hetimet kanë siguruar dëshmi se i dyshuari, në periudha dhe lokacione të ndryshme, ka pranuar shuma parash që variojnë nga 300 deri në 500 euro në disa raste të ndara, me qëllim përfitimin pasuror për vete ose për persona të tjerë. Këto veprime dyshohet se përbëjnë veprën penale “Marrja e ryshfetit”, e përcaktuar në nenin 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në ditën e arrestimit, më 24 shtator 2026, me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, është zhvilluar kontroll në ambientin e punës dhe në automjetet që i dyshuari kishte në shfrytëzim, me qëllim sigurimin e provave. Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa është sekuestruar edhe një telefon celular si provë materiale.