Ish-futbollisti shqiptar Olgert Muka është arrestuar nga autoritetet franceze në qytetin e Dizhonit, pasi dyshohet se është përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Arrestimi erdhi si rezultat i një operacioni vëzhgimi nga policia lokale, i cili zgjati më shumë se 10 ditë. Muka dhe një tjetër shtetas shqiptar u ndaluan teksa po shpërndanin doza kokaine në zonën e parkut Jardin de l’Arquebuse.
Pas ndalimit, 46-vjeçari doli para gjykatës për të dhënë dëshminë e tij. Ai pranoi përfshirjen në këtë aktivitet, duke e lidhur atë me gjendjen e rënduar financiare. Sipas dëshmisë së tij, ai kishte mbetur i papunë prej rreth 18 muajsh, pasi ishte larguar nga detyra e trajnerit për shkak të problemeve shëndetësore. Muka deklaroi përpara trupës gjykuese se vështirësitë ekonomike për të mbajtur familjen e kishin shtyrë drejt kësaj zgjedhjeje, të cilën e përshkroi si një "punësim të përkohshëm".
Olgert Muka ka pasur një karrierë të gjatë në futbollin shqiptar në fundin e viteve '90 dhe fillimin e viteve 2000. Ai ka veshur fanellën e disa prej ekipeve më të njohura në vend, duke përfshirë:
• Lushnjën
• Teutën
• Dinamon
• Bylisin
• Flamurtarin
• Partizanin
• Besën
Gjithashtu, ai regjistroi dy paraqitje me fanellën e Kombëtares shqiptare në vitin 2002, gjatë ndeshjeve miqësore. Pas largimit nga fusha e blertë, ai u orientua drejt karrierës si trajner, mirëpo nuk arriti të siguronte stabilitet profesional. Aktualisht, çështja ndaj tij vijon të shqyrtohet nga autoritetet ligjore franceze.
Përditësime
Shtohet lista e klubeve në karrierën e Olgert Mukës. Sipas gazetës Shekulli, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare ka qenë pjesë edhe e ekipit të Memaliajt.