Policia e Shtetit njoftoi se Vanxhel Balla, lindur në Dibër, është vënë në pranga në qytetin e Bolzanos në Itali, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Ky arrestim është finalizimi i një faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, realizuar në bashkëpunim me Interpol Romën dhe Interpol Tiranën.
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër të vitit 2020, 28-vjeçari është dënuar me 12 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të kryer edhe 9 vjet burgim.
Ngjarja për të cilën akuzohet Vanxhel Balla daton më 30 shtator 2018, kur në një lokal në fshatin Arras të Dibrës, ai së bashku me vëllanë e tij, Aleksandër Balla, dyshohet se kanë vrarë me thikë shtetasin I. Z. (i njohur edhe si A. Z.), 36 vjeç. Konflikti, sipas hetimeve të policisë, ka ndodhur për motive të dobëta. Ndërsa vëllai i tij ishte ndaluar nga autoritetet menjëherë pas ngjarjes, 28-vjeçari kishte mundur të largohej dhe t'i shmangej drejtësisë për tetë vjet. Aktualisht, po ndiqen procedurat zyrtare për transferimin e tij drejt Shqipërisë.