Një shtetase 34-vjeçare është arrestuar nga autoritetet policore në Aeroportin e Rinasit, menjëherë pas kthimit të saj nga Gjermania. Arrestimi është kryer për ekzekutimin e një dënimi me 2 muaj burg, të dhënë në mungesë për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit.
Në momentin e ndalimit, gruaja shoqërohej nga tre fëmijët e saj të mitur, të moshave 7 muajsh, 2 vjeç dhe 4 vjeç. Për shkak të deklarimit se nuk kishte kujt t'ua linte në kujdes, 34-vjeçarja kërkoi që fëmijët të qëndronin me të. Autoritetet vendosën transferimin e saj në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ku foshnja 7-muajshe u lejua ta shoqërojë.
Sipas informacioneve, fëmija 2-vjeçar pritet t'i bashkohet nënës në qendrën e vuajtjes së dënimit, ndërsa për fëmijën 4-vjeçar janë marrë masa që të kujdesen familjarët.
Në lidhje me dënimin, burimet raportojnë se edhe pse masa prej 2 muajsh hyn në kategorinë e dënimeve që përfshihen në ligjin e amnistisë, autoritetet kanë vlerësuar se e dënuara i ishte shmangur ekzekutimit të vendimit të formës së prerë. Për këtë arsye, urdhri i arrestit u zbatua në momentin e mbërritjes së saj në territorin shqiptar.