Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjirokastrën, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën në ambientet e pishinës së kompleksit Glow. Viktima, Arbër Peçi, kishte shkuar në pishinë i shoqëruar nga dy shokët e tij.
Sipas hetimeve paraprake, adoleshenti shfaqi shqetësime shëndetësore menjëherë pas kontaktit me ujin dhe kërkoi ndihmë përmes gjesteve. Fatkeqësisht, askush nga personeli i pranishëm nuk ndërhyri në kohë për t’i ofruar ndihmën e parë, deri në momentin kur adoleshenti ndërroi jetë.
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar pronarin e kompleksit, Ermal Koko, i cili është bashkëshorti i nënkryetares së Bashkisë Gjirokastër, Artiste Koko. Urdhri i arrestit është firmosur nga prokurorja Nertila Myftaraj, me asistencën procedurale të prokurores së gatshme, Blerina Musabelli.
Hetimet po përqendrohen në verifikimin e kushteve të sigurisë në këtë subjekt, përfshirë mungesën e mundshme të rojeve të plazhit apo instruktorëve të shpëtimit. Deri në këto momente, policia ka shoqëruar shtatë persona të tjerë, përfshirë shokët e viktimës dhe anëtarë të personelit, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Versioni paraprak i autoriteteve sugjeron se viktima mund të ketë pësuar një atak kardiak për shkak të temperaturës së ujit. Shkaku zyrtar i vdekjes mbetet të përcaktohet përmes ekspertizës mjeko-ligjore, e cila pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e plota të kësaj tragjedie.