Një shtetas serb është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Bërnjak, pasi dyshohet se ka tentuar të korruptojë zyrtarët policorë kufitarë. Rasti është trajtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë të Veriut, e cila pas marrjes së informacionit ka ndërmarrë veprime të menjëhershme.
Në kuadër të procedurave ligjore, nën udhëzimin e prokurorit kompetent, janë intervistuar i dyshuari dhe dy dëshmitarë të rastit. Gjatë operacionit policor, është sekuestruar përkohësisht një bankënotë, për të cilën ekzistojnë dyshime se ishte destinuar si ryshfet për zyrtarët policorë. Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë.