Asambleja e Prishtinës miratoi të enjten buxhetin e Kryeqytetit për vitin 2026. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, reagoi në një postim në Facebook, duke shprehur mirënjohje për asambleistët që, sipas tij, dëshmuan përgjegjësi publike dhe pjekuri politike.
Rama nuk mori pjesë në seancën e jashtëzakonshme, pasi ndodhet në ShBA. Ai falënderoi edhe qytetarët e Prishtinës për votën e tyre, që sipas tij zgjodhën përfaqësues të cilët e kuptojnë mandatin si detyrim për shërbim publik dhe vendimmarrje të përgjegjshme.
Kryetari i Prishtinës e cilësoi miratimin e buxhetit si "imazhin më të qartë se si funksionon demokracia kur asambleistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar". Ai theksoi se kjo përfaqëson dallimin mes politikës së së kaluarës, që e mbante Kryeqytetin peng, dhe qeverisjes aktuale që ecën përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje.
Sipas Ramës, kjo mendësi është themeli i zhvillimit. "Vetëm kur institucionet çlirohen nga kultura e bllokadës, hapet rruga për planifikim serioz, investime strategjike dhe projekte që prekin jetën e qytetarëve", shkroi ai. Si Kryeqytet, Prishtina tani mund të flasë për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale apo interesa partiake të ngushta.
Rama vlerësoi buxhetin si deklaratë politike dhe mesazh të qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë dhe të ardhmen.
Përditësime
Asambleja e Prishtinës miratoi buxhetin për 2026 me 33 vota pro, 8 kundër dhe pa abstenim. Seanca u zhvillua të Premten, sipas korrigjimit zyrtar.