Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar me letër Ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke kërkuar që buxheti i Komunës për vitin 2026 të përfshihet në Ligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës.
Në letër, Rama ka bashkëngjitur buxhetin e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës më 6 shkurt 2026. Ai thekson se projektligji për ndarjet buxhetore ndodhet në procedurë të shqyrtimit parlamentar, ndërmjet dy leximeve, dhe kërkon veprim menjëherë sipas nenit 62.3 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
"Duke marrë parasysh faktin se projektligji për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës është në procedurë të shqyrtimit parlamentar, ndërmjet dy leximeve, kërkojmë nga ana juaj që të veproni menjëherë në pajtim me nenin 62.3 të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, duke e dorëzuar buxhetin e miratuar të Komunës së Prishtinës për ta përfshirë në ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026", thuhet në letër.
Në një postim në Facebook, Rama i është drejtuar drejtpërdrejt Murati: "Hekuran Murati, ki detyrim institucional e moral me tregu pse buxheti i Prishtinës po lihet jashtë buxhetit 2026?!". Kjo çështje ka qenë objekt debateve politike e institucionale ditëve të fundit.