Aleanca për Shqiptarët (ASH) kërkoi më 3 nëntor masa për mbrojtjen e depozituesve të Alta Bankës në Manastir. Në deklaratën e saj, partia ngriti shqetësimin për kufizimin e tërheqjeve në 10.000 denarë në javë, duke thënë se kjo mund të krijojë vështirësi për pensionistët dhe familjet që kanë nevojë për para për mjekim ose nevoja të tjera urgjente.
ASH tha se zhvillimet në Alta Bankë u kujtojnë qytetarëve rastet e kursimores TAT, në vitin 1997, dhe falimentimin e Eurostandard Bankës, në vitin 2020. Sipas partisë, në të dyja rastet pasojat i përjetuan njerëzit që kishin punuar dhe kursyer për vite. Ajo shtoi se situata e Alta Bankës dallon nga rastet e mëparshme, por se përvoja me TAT-in dhe Eurostandard Bankën duhet të shërbejë si mësim që qytetarët të mos mbajnë pasojat e vendimeve të gabuara financiare.
Partia i kërkoi Bankës Popullore të sqarojë se si u miratua marrja e bankës, çfarë kontrollesh u kryen dhe kur pritet të hiqen kufizimet. ASH kërkoi gjithashtu masa të menjëhershme për mbrojtjen e depozituesve dhe zgjidhje për qytetarët që kanë nevojë urgjente për mjetet e tyre.
Në deklaratë thuhet se askush nuk duhet të vihet në pozitën që t’i lutet bankës për të marrë paratë e veta.