Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar zyrtarisht për intensifikimin e veprimeve operative dhe kontrolleve të detajuara në një sërë sektorësh që ofrojnë shërbime estetike, kozmetike, dermatologjike dhe stomatologjike.
Sipas njoftimit, kontrollet do të përqendrohen në një gamë të gjerë biznesesh, duke përfshirë:
• Klinikat për ndërhyrje dhe kirurgji estetike;
• Klinikat stomatologjike;
• Qendrat për trajtimin e fytyrës dhe trupit;
• Qendrat për mbjelljen e flokëve;
• Sallonet e bukurisë;
• Qendrat e mjekësisë estetike dhe dermatologjisë;
• Qendrat e tipit Spa dhe Wellness;
• Studiot për trajtime estetike dhe kozmetike;
• Qendrat për trajtime me laser.
Qëllimi kryesor i këtij operacioni është rritja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, formalizimi i aktiviteteve ekonomike dhe krijimi i një mjedisi me konkurrencë të drejtë për të gjithë bizneset në këta sektorë.
Në kuadër të këtij procesi, ATK ka ftuar klientët dhe qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar rastet e moslëshimit të kuponëve fiskalë ose parregullsive të tjera tatimore. Raportimet mund të bëhen përmes platformës zyrtare "DENONCO" në adresën elektronike të dedikuar, ose duke kontaktuar drejtpërdrejt Qendrën e Thirrjeve të ATK-së në numrin 038 222 165.