Policia federale e Australisë ka finalizuar me sukses një operacion të gjerë antidrogë në një pronë në Londonderry, në periferi të Sidneit. Sasia e sekuestruar prej 2.7 ton kokainë ishte fshehur brenda ndarjeve të posaçme në tre kontejnerë transporti, të cilët ishin vendosur në një sistem bunkerësh nëntokësorë. Vlera e tregut e kësaj ngarkese është përllogaritur në rreth 816 milionë dollarë australianë (afërsisht 500 milionë euro).
Hetimi, i pagëzuar si "Operacioni Minjiang", nisi në maj të këtij viti pas gjetjes së 40 kilogramëve kokainë në Midge Point, në Queenslandin Verior. Sipas autoriteteve, droga ishte shkarkuar nga një anije e huaj dhe më pas ishte transportuar drejt Sidneit nga një rrjet kriminal vendas për shpërndarje. Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet kanë ndaluar edhe një anije transporti pranë Ishujve Solomon.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar gjithsej 8 persona. Dy të dyshuar, të moshës 21 dhe 25 vjeç, u kapën në vendngjarje teksa tentonin të largoheshin nga forcat e rendit. Ata akuzohen për posedim dhe importim të lëndëve narkotike dhe mund të përballen me dënimin maksimal, atë të burgimit të përjetshëm. Gjashtë persona të tjerë janë prangosur në zona të ndryshme, përfshirë Queensland dhe New South Wales.
Kreu i policisë federale, Stephen Jay, theksoi se hetimet ndërkombëtare vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal. Ky operacion vjen në një periudhë kur raportet zyrtare, si ai i Institutit Pennington publikuar në qershor, kanë evidentuar një rritje prej 28% të vdekjeve nga mbidoza e kokainës në Australi përgjatë vitit 2024, duke arritur në 141 raste.