Një incident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Qafës së Kalasë në Berat, ku një autobus me turistë të huaj është shkrumbuar plotësisht nga flakët. Mjeti, me targa AB 917 UE, ishte duke u ngjitur drejt zonës muzeale kur në pjesën e motorit janë konstatuar shkëndija elektrike.
Drejtuesi i autobusit, shtetasi Ervis Dyrmani nga Durrësi, ka reaguar menjëherë duke ndaluar mjetin, çka u ka mundësuar 52 pasagjerëve, përfshirë fëmijë, të zbrisnin në kohë përpara se zjarri të përhapej. Fatmirësisht, nuk raportohet për asnjë person të lënduar nga ky incident.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të shërbimit zjarrfikës dhe efektivë të Policisë, të cilët kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Pavarësisht angazhimit, autobusi është shkrumbuar plotësisht. Nga përhapja e flakëve është dëmtuar rëndë edhe një automjet tip Benz Fuoristradë, i cili ishte i parkuar pranë një banese dhe pronari nuk mundi ta zhvendoste në kohë.
Shtetasi Ervis Dyrmani është shoqëruar në polici për t'u marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të sakta teknike, ndërsa autoritetet ende nuk kanë konfirmuar kombësinë e turistëve që ndodheshin në bord.