Ndërmarrjet e prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës kanë njoftuar pikat e shitjes për rritjen e çmimit nga 120 lekë në 150 lekë, çka përfaqëson një rritje mbi 25%. Kjo situatë ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka ngritur një Grup Pune për monitorimin e tregut.
Autoriteti po realizon kontrolle në terren për të evidentuar nëse njoftimi zbatohet nga ndërmarrjet dhe nëse sjellja e tyre përbën shkelje të ligjit nr. 9121/2003 "Për mbrojtjen e konkurrencës". Ky ligj ndalon marrëveshjet që pengojnë, kufizojnë ose shtrembërojnë konkurrencën në treg, veçanërisht ato që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, si dhe kushtet e tjera të tregtimit.
Shkelja e këtij ligji konsiderohet kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira. Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje ndërmarrjeve të respektojnë legjislacionin dhe të shmangin praktikat që cenojnë konkurrencën e lirë.
Sipas operatorëve të tregut, rritja e çmimit mund të lidhet me bllokimin disa ditor të rrugës në juglindje për shkak të shembjes së aksit rrugor në Librazhd, çka rriti kostot. Rruga tani është e hapur normalisht pas provizioneve të Autoritetit Rrugor.