Avdullah Hoti, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deklaroi në emisionin "Pressing" të televizionit T7, më 26 janar 2026, se nuk do ta votojë Vjosën Osmanin për presidente.
Hoti u përgjigj prerë me “jo” në pyetjen për votën e tij ndaj Osmanit. Ai tha se sa i përket saj, “kam pas drejtë për qëndrimin në vitin 2021”. “Ka fakte që në situata nuk ka qenë në nivelin e detyrës”, shtoi ai.
Sipas Hotit, tani shumë kolegë të tij në LDK kanë të njëjtin qëndrim si ai të mbajtur vite më parë në drejtim të Osmanit.
Kandidatura për kryetar partie
Hoti, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së, foli edhe për situatën brenda partisë. Ai tha se Lumir Abdixhiku natën e zgjedhjeve ka dhënë dorëheqje dhe ka premtuar ta ofrojë atë në Kuvendin e LDK-së.
“Statuti i LDK-së është shumë i qartë. Prezenca ime këtu është statutare dhe do të kërkoj besimin e delegatëve për të drejtuar LDK-në”, deklaroi Hoti. Ai theksoi se deklarimi i një zyrtari publik është obligim për t’u përmbajtur.