Haxhi Avdyli, deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), deklaroi se ministrja Donika Gërvalla nuk ka pasur mbështetje të qartë për Vjosa Osmanin si kandidate për presidente brenda GUXO-së. Ai tha se nuk e ka dëgjuar kurrë Gërvallën ta mbështesë publikisht ose në mbledhje kandidaturën e Osmanit. “Unë nuk e kam dëgjuar dhe nuk e ka thënë asnjëherë as në mbledhje as publikisht… nuk ka qenë pro kësaj”, u shpreh Avdyli.
Sipas tij, kjo situatë ka ndikuar në prishjen e bashkëpunimit politik dhe të “binomit të shpresës” mes partive. Avdyli vlerësoi se kryeministri Albin Kurti ka qenë më i hapur për vazhdimin e bashkëpunimit.
Ai theksoi se shumica dërrmuese e deputetëve të Vetëvendosjes kanë qenë pro Vjosa Osmanit dhe nuk kanë shprehur kundërshtime ndaj saj as në takime private. “Nuk e kam dëgjuar dikë që ka qenë kundër Vjosa Osmanit. Asnjëherë as në takime private nuk kanë folur asnjë fjalë, por kanë dhënë vlerësimet më të larta”, deklaroi Avdyli.
Duke rikujtuar procesin e mëparshëm, ai përmendi mbledhjen e deputetëve më 3 mars, ku morën pjesë rreth 60 deputetë. Atje, sipas tij, kryeministri Kurti propozoi kandidaturën e Glauk Konjufcës për president dhe askush nuk e kundërshtoi. Avdyli tha se e kishte lutur Kurtin për herë të fundit ta propozonte Osmanin për hir të përkrahjes qytetare, por kjo nuk u mor parasysh. “Mos e kandido, jo që nuk e meriton… por të lutem qu dil propozoje Vjosa Osmanin për hir të përkrahjeve qytetarëve”, transmetoi ai bisedën.