Procesi gjyqësor për vrasjen e Ardit Spahiut, e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek të Belgjikës, ka vijuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel. Spahi u ekzekutua me 18 plumba nga dy armë zjarri.
Të premten, avokatët Romain Delcoigne dhe Quentin Mayence të të akuzuarit Elvis Murataj paraqitën prova për të treguar se klienti i tyre nuk ndodhej në automjetin Golf GTI të përdorur nga ekzekutorët. Mbrojtja vuri në dyshim:
- përshkrimet fizike të dëshmitarëve, të cilat nuk përputhen me profilin e Muratajt;
- mungesën e gjurmëve të ADN-së së tij në vendngjarje;
- paqartësitë në deklaratat e Eljo Bitrit;
- mungesën e lidhjeve me klane shqiptare;
- mungesën e një të kaluara kriminale.
Avokati Quentin Mayence nxori në pah inkonsistencat në provat e komunikimeve të përgjuara përmes Sky ECC, duke argumentuar se PIN-i i atribuuar Muratajt u përdor nga një person tjetër.
Inicialisht, Murataj u akuzua si autor i vrasjes, më pas si shënjestrues me armë të gjatë dhe së fundmi si shofer i makinës. Mbrojtja insiston se ai nuk ka asnjë rol në atentat.
Të akuzuarit e tjerë të ekipit të armatosur, Flobenc Mecja dhe Endrit Sadedini, mungojnë në gjyq pasi janë të burgosur në Shqipëri për raste të tjera.
Murataj është i pandehuri i katërt që kërkon lirim nga akuzat, pas Elton Rocit, Blerim Mamutajt dhe Franc Çopjas.