Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka monitoruar një seancë në Gjykatën Themelore të Prizrenit ndaj 109 të dyshuarve për manipulim votash në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në këtë komunë.
Ai deklaroi se është i pranishëm për të monitoruar procedurat e caktimit të masës së paraburgimit në kuadër të hetimeve për keqpërdorim në zgjedhje. “Qëllimi i këtij monitorimi është për të parë si po shkojnë procedurat, sa po zbatohen dhe po respektohen standardet për një qasje dhe mundësi të drejtë për një procedurë për personat që kanë mundësi të mbrohen. Është një prej rasteve të rënda që kanë ndodhur në Kosovë, por apeli është që edhe drejtësia duhet të jetë e kujdesshme”, u shpreh Qelaj.
Seanca nisi rreth orës 14:00, ndërsa të dyshuarit u futën në gjykatë me pranga në duar.
Zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj, njoftoi se prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për 23 persona, sipas disa burimeve. Burime të tjera raportojnë se deri atëherë ishin pranuar katër kërkesa për 11 persona nga 109 të arrestuarit.