Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, Partia Socialiste pritet të vendosë një qëndrim unanim të grupit parlamentar.
Në emisionin Trialog të RTSH-së, diskutimi u fokusua te kjo çështje. Avokati Gentjan Romano theksoi se nuk ka prova të reja në dosje. Sipas tij, provat e SPAK-ut ekzistojnë që para se Balluku të merrej në cilësinë e të pandehurës.
Ai shpjegoi: "Prova të reja nuk ka, provat SPAK i ka pasur që para se të merrej në cilësinë e të pandehurës Balluku. Provat që janë vlerësuar nga ana e SPAK për të paraqitur kërkesën para gjykatës për caktimin e masës së pezullimit dhe prova të reja përtej atyre nuk ka. Të gjitha provat që pretendoheshin si të reja nga ana e prokurorisë kanë qenë aty, thjesht prokuroria nuk kishte arritur që të krijonte formimin e provës për ta paraqitur, por kjo nuk të justifikon me faktin se është provë e re. Provë e re është ajo që del pas dhe ajo që ti e ke pasur dhe nuk ke pasur mundësinë për ta zbërthyer në cilësinë e provës. Nëse prokuroria e ka ngritur kërkesën e saj se ka prova të reja, kjo nuk vlen pasi nuk ka prova të reja. Mbi bazën e këtyre provave SPAK i ka bërë kërkesë gjykatës dhe është caktuar masa e pezullimit."
Romano shtoi se pretendimet për intimidim të dëshmitarëve apo manipulim të provave janë vetëm në nivel teorik dhe thashethemesh, pa fakte konkrete. Ai vuri në dukje se "intimidimi i dëshmitarëve duhet të bëhet jo nga komunikimi mes dy dëshmitarëve, por nga veprimi që bën subjekti mbi dëshmitarët". Çështja penale, sipas tij, nuk ngrihet mbi bazë të fjalëve në telefon, por mbi dokumentacionin në dosje.