Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po finalizon procedurat për disbursimin e subvencioneve për vitin 2026. Ky fond prej 7.2 miliardë lekësh synon të mbështesë fermerët pjesëmarrës në Skemën Kombëtare dhe Skemën e Investimeve, ku numri total i përfituesve pritet të jetë rreth 41 mijë fermerë.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, konfirmoi se janë përfunduar kontrollet paraprake për Skemën e Pagesave Direkte dhe po kryhen verifikimet përfundimtare për të proceduar me këstin e parë të pagesave. Sipas tij, ky vit ka shënuar nivelin më të lartë të kërkesave për financim në kuadër të Skemës Kombëtare.
Interesi i lartë i fermerëve ka detyruar qeverinë të rrisë fondin fillestar prej 5.2 miliardë lekësh me një shtesë prej 2 miliardë lekësh. Kërkesat më të shumta vijnë nga fermerët që kultivojnë tokën dhe blegtorët e të imtave. Paralelisht, në Skemën e Investimeve kanë aplikuar 465 fermerë, të cilët kërkojnë mbështetje për ndërtimin e fermave, staneve ose blerjen e makinerive bujqësore, si traktorët.
Lidhur me debatet për heqjen e mbështetjes për naftën, zëvendësministri Fatmir Guri u shpreh se modeli i ri është hartuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se struktura e skemës nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen, me mundësi zgjerimi vetëm në përputhje me fondet që do të vihen në dispozicion në vitet në vijim.