Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja. Kjo deklaratë erdhi në një postim në Facebook, ku ajo e ndërlidhi situatën me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për të premten pasdite, me 10 pika në rend të ditës, shumica prej tyre projektligje të miratuara pak ditë më parë në Qeveri.
Bajrami tha se përpjekjet për miratimin e ligjeve me afate të përshpejtuara lidhen me këtë synim politik. "Albin Kurti po na çon në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse po dëshiron t'i kalojë ligjet me afate të përshpejtuara", shkroi ajo.
Sipas deputetes, kryeministri synon të përfundojë procedurat në Kuvend dhe më pas të qeverisë pa mbikëqyrje parlamentare. "Albini po dëshiron të kryejë punë me Kuvend dhe më pastaj të qeverisë pa Kuvend dhe pa mbikëqyrje", thuhet në postimin e saj.
Ajo kritikoi edhe funksionimin e Kuvendit, duke theksuar se ai nuk ka qenë funksional që nga dhjetori i vitit 2024. "Prej dhjetorit të vitit 2024 s'ka pasur Kuvend funksional. Tash po kalohen ligje me shmangie. Pse këto urgjenca? Urgjencë për të bërë ligje që s'mund të zbatohen kurrë", shtoi Bajrami.