Procesi i integrimit europian të Shqipërisë ka marrë një sinjal pozitiv pasi Bashkimi Europian ka dhënë dritën jeshile për miratimin e IBAR.
Në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se objektivi i qeverisë është mbyllja e marrëveshjes së anëtarësimit deri në dhjetor të vitit 2027. Ai theksoi se Shqipëria ecën sipas kalendarit të dakordësuar me Brukselin.
Balla njoftoi se vetëm gjatë muajve të fundit janë miratuar më shumë se 200 ligje në Parlament, nga të cilat 100 lidhen drejtpërdrejt me harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Ai e quajti këtë një fazë historike dhe u bëri thirrje deputetëve që të përmbushin detyrën e tyre.
Sipas Ballës, ambicia për përmbylljen e procesit mbështetet në protokollet dhe vlerësimet që vijnë nga Komisioni Europian dhe vendet anëtare. Ai përcjell gjithashtu qëndrimin pozitiv të qeverisë gjermane dhe të kancelarit Friedrich Merz, duke e cilësuar si lajm të mirë.
Në fund, Balla falënderoi deputetët që votuan rezolutën e miratuar javën e kaluar dhe bëri thirrje për bashkim në funksion të integrimit europian.