Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri (KPSA), zhvilloi një takim në Bruksel me Marco Tarquinio, bashkëkryetar i të njëjtit komitet.
Në fokus të diskutimit ishte ecuria e procesit të negociatave dhe thellimi i bashkëpunimit institucional. Balla deklaroi se ambicia e Qeverisë dhe e Kuvendit është të përmbyllin negociatat teknike brenda 21 muajve të ardhshëm. Ai iu referua progresit të arritur me hapjen e të gjithë grup-kapitujve në vetëm 13 muaj.
KPSA konsiderohet mekanizëm kyç për dialog transparent, llogaridhënie dhe bashkëpunim mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë takimit, dy bashkëkryetarët ranë dakord që mbledhja e radhës e KPSA-së të zhvillohet në muajin korrik në Strasburg. Sesioni pasues do të mbahet në shtator në Tiranë, për të forcuar dialogun institucional dhe bashkëpunimin parlamentar BE–Shqipëri.