Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu ka zhvilluar një takim në Mynih të Gjermanisë me Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën në qeverinë gjermane.
Sipas postimit të Balliut në rrjetet sociale, biseda trajtoi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si çështje jetike për të ardhmen e vendit dhe konsolidimin e demokracisë. Ai theksoi se vetëm përmes luftës reale kundër korrupsionit dhe respektimit të ndarjes së pushteteve garantohet ecja përpara e Shqipërisë në rrugën europiane.
Balliu e falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin në procesin e integrimit. Ai nënvizoi se mbështetja e aleatëve europianë është thelbësore, por detyra kryesore mbetet ndërtimi i institucioneve të forta, të pavarura dhe në shërbim të qytetarëve.
Deklarata e plotë e deputetit:
"Kënaqësi të takoja në Mynih Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën në Gjermani. Integrimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është jetik për të ardhmen e vendit tonë dhe për konsolidimin e demokracisë. Vetëm përmes luftës reale kundër korrupsionit dhe respektimit të ndarjes së pushteteve mund të garantohet ecja përpara e Shqipërisë në rrugën e saj europiane. Gjatë takimit pata mundësinë ta falënderoj Ministrin e Shtetit për Europën për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e tij në procesin e integrimit të Shqipërisë. Mbështetja e miqve dhe aleatëve tanë europianë është thelbësore, por mbi të gjitha mbetet detyra jonë të ndërtojmë institucione të forta, të pavarura dhe në shërbim të qytetarëve."