Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zhvilloi një takim me Gunther Krichbaum, Ministrin e Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë, gjatë vizitës zyrtare të këtij të fundit në Shqipëri më 23 janar 2026.
Gjatë takimit, Balla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Krichbaum ndaj Shqipërisë, si në periudhën kur ai ishte deputet në Bundestag, ashtu edhe në rolin aktual qeveritar. Ai theksoi se Gjermania renditet e para për mbështetjen e drejtpërdrejtë të akorduar Shqipërisë.
Sipas Ballës, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë ndodhen në nivelin më të lartë historik, si në aspektin bilateral, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare ku të dy vendet janë pjesë. Gjermania mbështet fuqimisht procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Balla deklaroi: "Gjithmonë një kënaqësi të takohem me Gunther Krichbaum, i cili në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri vjen si Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë. Shumë mirënjohës zotit Krichbaum për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme qoftë në Bundestag, qoftë tani si anëtar i Qeverisë gjermane. Gjermania rënditet e para me mbështetjen e drejtpërdrejtë akorduar Shqipërisë. Sot Shqipëria dhe Gjermania kanë nivelin më të lartë historik të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe në kuadër të organizatave ku dy vendet tona aderojnë. Gjermania mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE".