Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, është marrë e pandehur nga SPAK për dy çështje tenderash dhe ndodhet nën hetim për gjithsej 11 procedura. Burime jozyrtare raportojnë se ajo po tenton emërimin e Irmës Droboniku si kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Irma Droboniku ka shërbyer më parë si Sekretare e Përgjithshme e KPP-së, gjatë periudhës kur drejtohej nga Jonaid Myzyri, i pezulluar me kërkesë të SPAK-ut dhe i marrë pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Burime jozyrtare pohuan se Droboniku ka lidhje të afërta personale dhe profesionale me Violën Haxhiademi, ish-Sekretare e Përgjithshme dhe bashkëpunëtore e ngushtë e Ballukut.
Dokumente zyrtare tregojnë se Droboniku ka një njohje mbi 20 vjeçare me Haxhiademin dhe Ballukun, me të cilat ka punuar së bashku në Bashkinë e Tiranës dhe Albcontrol SHA. Dy javë më parë, SPAK ka kryer veprime procedurale ndaj Drobonikut dhe Haxhiademit, duke përfshirë sekuestrim telefoni dhe kontroll banese, në kuadër të hetimeve të lidhura me çështjet e Ballukut. SPAK nuk ka bërë njoftim publik zyrtar, ndërsa Droboniku mësohet të jetë nën hetim për dy nga 11 rastet e Ballukut.
Zhvillimet ndodhin në kohë kur SPAK ka intensifikuar hetimet mbi procedurat e prokurimit publik, ndërsa lëvizjet në KPP ndikojnë drejtpërdrejt në proceset nën shqyrtim.
Dokumentet administrative paraqesin karrierën e Irmës Droboniku:
• Në vitin 2006, konfirmohet dhe promovohet si nëpunëse civile në Bashkinë e Tiranës;
• Në vitin 2014, emërohet Shefe e Sektorit të Asistencës Ligjore në Albcontrol SHA;
• Në vitin 2018, emërohet Drejtore e Drejtorisë Juridike në Albcontrol SHA;
• Në vitin 2021, emërohet Sekretare e Përgjithshme e KPP-së.