Këtë të hënë, qytetarë të Orikumit zhvilluan një protestë përpara Qendrës Administrative për të shprehur pakënaqësinë ndaj organizimit aktual administrativ. Banorët kërkojnë rikthimin e Orikumit si njësi vendore e pavarur, status të cilin e gëzonte përpara reformës administrativo-territoriale të vitit 2014. Pjesëmarrësit theksuan se synojnë një administrim më vete, që do të përfshinte edhe buxhetin e njësisë.
Aktualisht, zona funksionon si njësi administrative në varësi të Bashkisë Vlorë. Kjo lëvizje e banorëve është pjesë e një kundërshtie më të gjerë, pasi Orikumi u bashkohet 15 bashkive të tjera të cilat kanë shprehur rezerva ose kundërshtime ndaj ndarjes së re administrativo-territoriale të propozuar nga mazhoranca. Banorët kërkuan që zëri i komunitetit të merret në konsideratë për organizimin e ardhshëm territorial.