Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas raportimeve për një incident në një pikë kufitare të Shqipërisë, ku janë ndaluar disa përfaqësues politikë nga Maqedonia e Veriut.
Në deklaratën e tij, Bardhi dënoi sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj shefit të Grupit Parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, deputetëve Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, si dhe ndaj zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas Bardhit, trajtimi ndaj tyre ka qenë denigrues dhe në kundërshtim me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të respektuar përfaqësuesit legjitimë shqiptarë. Ai vlerësoi se ngjarje të tilla cenojnë frymën e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe dëmtojnë imazhin e shtetit shqiptar.
Bardhi i ka kërkuar Policisë së Shtetit që të ofrojë një sqarim publik dhe transparent në lidhje me rrethanat e incidentit. Ai theksoi se çdo veprim i kryer në kundërshtim me ligjin duhet të hetohet me seriozitet dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.
"Shqipëria duhet të jetë gjithmonë një shtet që i mirëpret, i respekton dhe i mbron shqiptarët, jo një shtet ku ata ndihen të fyer apo të penguar", deklaroi Bardhi, duke shtuar se akte të kësaj natyre nuk duhet të përsëriten në të ardhmen.