Bashkia e Tiranës do të shtojë pikat e shpërndarjes së aboneve falas për pensionistët. Lajmin e dha kryetarja e komanduar Anuela Ristani në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 12 maj 2026.
"Do të shtohen pikat e shpërndarjes së aboneve. Pikat e shërbimit janë të hapura thuajse 16 orë në ditë. Kemi shtuar jo vetëm numrin e ditëve kur aboneja shpërndahet, por edhe numrin e pikave. Shpresojmë që kjo do të ketë një efekt pozitiv sa i përket radhës dhe ngarkesës. Nuk bëhet dot me librezat e pensionit, pasi bileta është e një tjetër lloj dokumentacioni", deklaroi Ristani.
Ristani u shpreh se Bashkia e Tiranës do të nisë punë për ndërtimin e një sistemi të ri që adreson këtë problematikë në mënyrë më digjitale.
"Bashkia e Tiranës po drafton termat e referencës për një sistem të ri, që do të adresojë këtë gjë në një mënyrë më koherente dhe më digjitale, dhe të shmangim radhët për kohën në vijim. Fatkeqësisht, tani jemi të lidhur me një mënyrë të bërit të sistemit dhe po mundohemi ta optimizojmë me shtimin e pikave për shpërndarje", theksoi Anuela Ristani.