Bashkim Zeneli, diplomat, ish-deputet dhe publicist, u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen të hënën, më 2 nëntor, pranë Sallës së Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, nga ora 11:00 deri në 13:00. Familjarë, miq, kolegë, përfaqësues institucionesh dhe personalitete të jetës politike e publike do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit.
Pas homazheve, kortezhi mortor do të niset drejt varrezave të Sharrës, ku Zeneli do të përcillet për në banesën e fundit.
Karriera në politikë dhe diplomaci
I diplomuar në Drejtësi, Zeneli punoi fillimisht si përkthyes i gjuhës gjermane, përpara se të angazhohej në gazetari dhe në analizën e politikës së jashtme. Pas vitit 1991, u përfshi në politikë dhe mbajti detyrën e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste. Ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë për dy legjislatura dhe shërbeu si nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme.
Zeneli ishte ambasador i Shqipërisë në Gjermani gjatë viteve 1998–2002, e më pas në Greqi, në periudhën 2002–2005. Gjatë misionit në Gjermani u angazhua për çështjen e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane. Në Greqi, puna e tij u përqendrua te marrëdhëniet dypalëshe dhe mbështetja e komunitetit shqiptar që jetonte atje.
Vlerësimet dhe veprimtaria
Në 2018, presidenti i atëhershëm Ilir Meta e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin në politikën e jashtme, gazetari dhe çështjen kombëtare. Zeneli u vlerësua gjithashtu në Gjermani për veprimtarinë diplomatike, u shpall “Qytetar Nderi” i Athinës dhe mori medaljen e artë “Zgalemi i Lirisë”.
Përvojën diplomatike dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë i trajtoi në librin “Miqësi e trazuar”, ku shkroi për zhvillimet dhe sfidat e marrëdhënieve shqiptaro-greke.