J.P., 69 vjeç, nga Kavadari u privua nga liria më 26 tetor, rreth orës 15:00, pas bastisjeve të kryera me urdhër gjykate në shtëpinë e tij të pushimit dhe në banesën ku jeton. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), bastisjet u kryen në shtëpinë e pushimit dhe objektet ndihmëse në vendin e quajtur „Vasov Grad“, në rrethinën e Kavadarit, si dhe në banesën e tij në qytet.
Në operacion morën pjesë nëpunës policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare Mihajllovë, të strukturave të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Jug dhe të Njësisë së Punëve të Brendshme Kavadar. Burimet raportojnë se bastisjet u kryen pas sigurimit të informatave dhe marrjes së masave përkatëse.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në shtëpinë e pushimit, J.P. dorëzoi vullnetarisht një pushkë gjahu të markës „Zastava“, tre fishekë gjahu të kalibrit 12, rreth 13 kilogramë mish kaprolli dhe nëntë mjete të ndaluara për gjueti, të njohura si kurthe. Në njërin prej tyre u konstatuan mbetje të gjurmëve biologjike.
Për rastin është njoftuar prokurori publik. MPB-ja bëri të ditur se, pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë, ndaj 69-vjeçarit do të ngrihen kallëzime për veprat penale „Gjueti e paligjshme“, sipas nenit 228, dhe „Përpunimi, mbajtja dhe tregtimi i palejuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese“, sipas nenit 396 të Kodit Penal.