Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur reagimin e saj kundër deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke e akuzuar atë për qëndrime që cenojnë kauzën shqiptare dhe të vërtetën historike në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas subjektit politik të udhëhequr nga Ali Ahmeti, ministri Shasivari ka bërë një barazim të papranueshëm midis viktimave të regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe agresorëve. Në reagimin e tyre, BDI-ja thekson se ky akt prek drejtpërdrejt sakrificën e popullit shqiptar dhe përpjekjen e tij për liri.
BDI-ja vlerëson se përpjekjet e koalicionit qeverisës VLEN për të sqaruar ose mbuluar këtë qëndrim përmes komunikatave të mëvonshme janë të pamjaftueshme. Sipas tyre, kur një mendësi politike shfaqet hapur përmes deklaratave të një përfaqësuesi të lartë, formulimet pasuese nuk mund ta zhbëjnë dëmin e shkaktuar. Partia kërkon përgjegjësi të qartë politike, duke e konsideruar këtë rast si një dëmtim të paprecedentë të kauzës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.