Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë për mungesën e hapave për arrestimin dhe ndjekjen penale të Millan Radoiçiqit dhe personave të tjerë të akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023. Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, tha për Radio Evropa e Lirë (REL) se Brukseli mbetet i shqetësuar edhe për raportimet se Radoiçiqi mori pjesë në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq.
Wiegand tha se BE-ja pret bashkëpunim të plotë të Serbisë përmes kanalit të vendosur për ndihmë të ndërsjellë juridike. Sipas tij, çështja është zvarritur për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë pa vonesa të mëtejshme. Ai shprehu gjithashtu zhgënjim që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa për arrestimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës që ndodhen në territorin e saj.
Radoiçiqi u shfaq më 9 tetor në tubimin e SNS-së në Kragujevc, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të caktuara për 25 tetor. Pamjet e publikuara nga televizioni serb N1 e tregojnë pranë Danilo Vuçiqit, djalit të Aleksandar Vuçiqit, para sallës ku u mbajt tubimi. REL-i i kërkoi SNS-së koment për praninë e tij, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e raportimit.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i ka thënë më herët REL-it se hetimet ndaj Radoiçiqit për sulmin në Banjskë vazhdojnë. Në Serbi nuk është ngritur aktakuzë për sulmin e 24 shtatorit 2023, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës. Gjatë sulmit u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa në përleshjet që pasuan u vranë tre sulmues. Radoiçiqi e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe më pas dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.
Drejtësia e Kosovës ka akuzuar 45 persona për sulmin; tre janë dënuar, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiqin, janë në arrati dhe besohet se ndodhen në Serbi. Kosova ka lëshuar disa fletarrestime ndaj tij. Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 20 personave, përfshirë Radoiçiqin, nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile në rajonin e Gjakovës gjatë viteve 1998–1999.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, ndërsa Beogradi zyrtar i ka mohuar këto akuza. Qeveria e Kosovës e cilësoi pjesëmarrjen e Radoiçiqit në tubim si dëshmi të lidhjeve të tij me pushtetin serb dhe kërkoi që ai të përballet me drejtësinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar dialogun e nivelit të lartë politik me Serbinë që nga sulmi, duke kërkuar ndjekjen penale dhe dorëzimin e Radoiçiqit te drejtësia e Kosovës.