Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se do të thërrasë një takim të dialogut të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë sapo rrethanat ta lejojnë. Në një përgjigje për mediat kosovare, Brukseli ka theksuar se liderët e të dyja palëve priten të marrin pjesë pa kushte paraprake.
"Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do të thërrasë një takim të dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sapo rrethanat ta lejojnë. Presim që liderët e të dyja palëve të marrin pjesë pa kushte paraprake", thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian.
Takimi pritet të trajtojë çështje të rëndësishme të dialogut, ndër të cilat edhe moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Reagimi i BE-së erdhi pas deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili kishte thënë se Serbia kishte lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një mbledhjeje në Kishinau të Moldavisë.
Bashkimi Evropian ka ritheksuar se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, mbetet kusht thelbësor për avancimin e të dyja vendeve drejt integrimit evropian. Sipas Nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.